Në anën tjetër, problemi i sllavomaqedonasve me shqiptarët e këtij territori mbetet i hapur edhe pse në vitin 2001 ata firmosën një marrëveshje si rezultat i konfliktit të armatosur. Si duket problemet e pa mbaruara me fqinjët e tyre, reflektojnë negativisht në përmbushjen e detyrimeve të dala nga marrëveshja kornizë e Ohrit. Koha do të dëshmojë se mos përmbushja e detyrimeve sipas marrëveshjes së Ohrit do të rezultojë negativisht për këtë republikë.

Muhamed JUSUFI

Pse kjo temë

I motivuar nga historia e hershme, si dhe nga ngjarjet e fundit politike të këtij vendi, mendoj se studimi i filluar do të hapë rrugët e një hulumtimi më të gjerë. Zgjodha këtë temë sepse kam lexuar disa libra historik nga autorë të ndryshëm maqedonas, shqiptar, kroat dhe jo ballkanas. Sigurisht që ky studim i shkurtër duhet të zhvillohet edhe më shumë, derisa të bëhet i qartë për opinionin e gjerë në veçanti atij shqiptar.

Gjithashtu zgjodha këtë temë sepse në rajonin e Ballkanit tani ka lindur edhe një shtet i ri, i cili në një mënyrë a tjetër, zhvillim dhe rrugëtimin e kanë të përbashkët. Tani kur rajoni ka nevojë imediate për pranimin e këtij shtetit të ri, Maqedonia po luan politikë dualiste. Prandaj, ky studim njëkohësisht mëton në sensibilizimin e politikës maqedonase, dhe, t’ia përkujtojë opinionit të atjeshëm situatën e tyre të pa favorshme në të cilën ata ndodhen. “Sikurse thekson politologu gjerman Hans-Gert Jaschke, etniciteti, populli dhe kombi kthehen në mjete strategjish sociale dhe politike. Kategori si gjuha, feja ose përkatësia etnike marrin karakterin e instrumenteve për mobilizim politik, ku pabarazia sociale propagandohet si e lidhur me vlerat e ndryshme të etnive. Nëpërmjet etnicizmit të konflikteve sociale lind në potencë një marrëdhënie e acaruar konkurrence përgjatë kufijsh të kushtëzuar nga etnitë dhe jo nga shtresat shoqërore”.

Hyrje

Popujt e gadishullit Ballkanik kanë një histori të çuditshme, mbase nuk mund t’i fusim të gjitha kombet në një pako, por nëse i bëhet një studim i veçantë secilit popull, del se këtu kemi të bëjmë me shtrembërime të shumta historike. “Nëse brenda kësaj kauze, jeta politike zhvillohet në një nivel jo vetëm ndërkombëtar, por edhe mbikombëtar, në Ballkan, e në veçanti në ish-Jugosllavi, hetohet dështimi i formimit të identiteteve kombëtare integrative, paraqitja e lëvizjeve identitare regresive e anakronike. Kjo divergjencë e tendencave i shtynë analistët e Ballkanit të thonë se popujt e kësaj siujdhese janë cilësuar me një prapambeturi historike, sa i takon formësimit të identiteteve kombëtare, dhe se janë të kurthuar brenda konflikteve të pambaruara të shekullit XIX-të”.

Maqedonia në esencë është shtet hibrid, fillimisht u themelua si Republikë e njohur nga pesë njësitë federative të ish shtetit federativ të Jugosllavisë. Me shpërbërjen e kësaj federate, R. Maqedonisë disi arriti të shkëputet nga kjo federatë pa luftë. Për fatin e saj të mirë, ky shtet i ri filloi të njihet nga shtetet e tjera të botës, falë emrit të saj të njohur që “trashëgoi” nga koha e mbretërve të para erës sonë, Filipit dhe Aleksandrit të Madh. Shtetet që e pranuan këtë shtet, nuk u morën fare me problemet e këtij shteti, prandaj më vonë lindën konfliktet të cilat nuk dihet se kur do të përfundojnë. Prej problemeve shumë serioze të kësaj Republike mund të theksojmë problemin gjuhësor me Bullgarinë, problemin e emrit territorial me Greqinë, si dhe problemin e brendshëm, me shqiptarët autokton.

Ky studim i shkurtër është përqendruar në problemin e saj të brendshëm të këtij shteti i cili ka filluar që pas Luftës së Dytë botërore. Ndërsa ne, do të merremi vetëm me periudhën e konfliktit të armatosur janar-gusht të vitit 2001, ku kushtimisht mund të themi se përfundoi me marrëveshjen kornizë të Ohrit. Duke qenë se këto ngjarje janë shumë të vonshme, është shumë vështirë të gjendet literaturë e botuar rreth këtij konflikti. Për të realizuar këtë studim kam shfrytëzuar arkivin e të përditshmes informative Fakti që botohet në Shkup.

Politika territoriale dhe

nacionaliste shkaktar i konfliktit të armatosur

Politikat që konstruktohen prej aktorëve të brendshëm, duket të janë afatshkurtra dhe jo stabile, por ato në vete ngërthejnë konflikt të gjerë rajonal. Sipas informacioneve në mediat maqedonase mësojmë se shtetësinë bullgare janë duke e pranuar shumë qytetar, një prej tyre është edhe ish kryeministri Lupço Georgievski. Gjithashtu ky shtet provokon seriozisht shtetin fqinj Greqinë, duke u thirrur në Maqedoninë antike, pjesa e një territor të gjerë i cili gjendet në Greqinë veriore. Provokimi i saj i fundit ishte emërtimi i aeroportit nacional “Aleksandri i Madh”.

Edhe pse pa identitet të qartë kombëtar, maqedonasit kishin shfrytëzuar rastin e politikave pansllaviste, gjegjësisht jugosllave dhe, pas Luftës së Dytë Botërore iu njihet e drejta e mëvetësisë së tyre brenda federatës Jugosllave. Duke u munduar të krijonin identitetin e tyre, ata  projektonin politika eksperimentale të cilat kurthonin rajonin, ndërsa shqiptarët cilësoheshin si qytetarë të rendit të dytë. Sipas kushtetutës së vitit 1974 të dalë nga ish federata e Jugosllavisë, shqiptarët edhe pse konsideroheshin si popull shtetformues në këtë republikë, ata në jetën praktike trajtoheshin vetëm si taksapagues e asgjë më tepër. Krahas kësaj politike, nacionalizmi maqedonas mëtonte pastrimin etnik, duke përdorur forma të ndryshme presioni. Në anën tjetër, ajo popullonte Maqedoninë Perëndimore me kolonë maqedonas të cilët i dërgonin nga Maqedonia Lindore dhe jo maqedonas. Fakte të kësaj natyre janë të shumta por ne do të theksojmë në vija të trasha vetëm disa prej tyre siç janë:

  1. Regjistrimi i popullatës.
  2. Presioni ekonomik, politik dhe mos dhënia e shtetësisë, nxiste shpërnguljet
  3. Arsimi-shqiptarët ishin pa arsim të lartë në gjuhën e tyre amtare
  4. Punësimi proporcional – Edhe pse maqedonasit pranonin zyrtarisht se shqiptarët janë mbi 25 % ata në institucionet shtetërore kishin të punësuar prej 0.5 – 4 %
  5. Injoroheshin mediat shqipe brenda dhe jashtë vendit.

Tensionet politike, socio-ekonomike dhe psikike që krijonin strukturat e shtetit në emër të nacionalizmit të tyre kundër shqiptarëve në Maqedoni, detyronin shqiptarët të emigronin jashtë vendlindjes së tyre. Kjo politikë nuk ndaloi edhe atëherë kur Maqedonia u konsolidua si shtet i ri pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Profesoresha Todorova do të përshkruante: {Tipari themelor i shoqërisë tribale është primitiviteti i saj, mungesa e kompleksitetit dhe, rrjedhimisht, dobësia e saj, kur ballafaqohet “me nevojën modernizuese për një sistem të sofistikuar drejtësie dhe përfaqësimi politik, thjesht bie në tirani”}. Pikat e sipërtheksuara dhe shumë të tjera detyruan shqiptarët e Maqedonisë t’i thonë mjaft politikës së tyre inferiore. Ndërhyrjeve agresive të policisë maqedonase tani e tutje do tua kthejnë me të njëjtën mënyrë, sepse tani, jo vetëm maqedonasit diskriminonin shqiptarët, por politika e diskriminimit kishte filluar të shtrihet edhe në investitorët e huaj në këtë Republikë. Gazeta Fakti na sjell edhe disa të dhëna nga Firma Brown & Root, e cila thotë: “të huajt janë indoktrinuar nga sjelljet e maqedonasve. Kuptohet ata nuk duan ti prishin marrëdhëniet ekonomike me firma të ndryshme maqedonase por ata nuk duhen që shqiptarëve t’ju ndalojnë të flasin në gjuhën e tyre amtare. MOS FLITNI SHQIP, KËTU NUK ËSHTË SHQIPËRI”.

Fillimi i luftës

Një sulm mbi stacionin e policisë në Tearcë në rajonin e Tetovës dhe komunikata që ka pasuar në 23 janar 2001, konsiderohen gjerësisht si veprimet e para të UÇK-së. Komunikata, e titulluar Komunikata Nr. 4, i ishte drejtuar radio-stacionit gjerman Deutsche Welle dhe merrte përsipër përgjegjësinë për sulmin në Tearcë. Në komunikatë thuhej se UÇK-ja ishte krijuar pas dështimit të shtetit maqedonas për të reformuar veten me mjete ligjore dhe në përgjigje të përdorimit të forcës nga ana e autoriteteve. “Deri më tani shqiptarët e Maqedonisë kanë kërkuar të drejtat e tyre nëpërmjet dialogut në një mënyrë kushtetuese dhe paqësore, fillonte komunikata. “Kërkesat tona janë injoruar. Qeveria maqedonase u është përgjigjur këtyre përpjekjeve paqësore me një valë terrori, siç është parë në Shkup, Ladorishtë, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë”.

Për të vazhduar më pastaj paraqitja tjetër e UÇK-së në fshatin Tanushë, me rastin e ceremonialit të varrimit të vrarit Muzafer Xhaferi nga patrulla kufitare. E enjte më 22 shkurt 2001. Këto ishin hapat e parë të fillimit të luftës në Maqedoni.

Diplomacia ndërkombëtare dhe

 Marrëveshja e Ohrit

Në traditën e qenies njerëzore është, që një, ose më shumë shtete të ofrojnë interesimin e tyre për bisedime, shërbime të mira ose edhe të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy ose më shumë palëve. Si përgjegjëse për ndërmjetësim tani është OKB-ja, e pastaj shtetet që konsiderojnë se rajoni në të cilën është duke u luftuar është sferë e interesit të tyre.

Ndërsa Andrew Hyde ekspert i çështjes së sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal në paktin e stabilitetit thotë se: “Në Ballkan çështja shqiptare është problem mjaft delikat. Kështu mendon edhe Viktor Meier, ekspert për Evropën juglindore kur thotë se Vdekja e Jugosllavisë nisi në Kosovë.

Ndërmjetësimi

Amerikanët fillimisht paralajmëruan se shqiptarët po e keqpërdorin ndihmën e perëndimore dhe do të dënohen ashpër. Hapi parë ishte ndalimi i dhënies së vizave hyrëse personave që konsiderohen të padëshirueshëm në shtetin Amerikan. Më 27.06.2001 Presidenti Bush i riu nxori listën e  personave non grata në Amerikë.

Hapi dytë – i diplomacisë Amerikane ishte: sipas Kondoliza Rajs Maqedonia duhet të jetë një derë e cila do ti shpalos disa mundësi midis Amerikës dhe BE-së. Maqedonia është provë për bashkëpunimin mes NATO-s dhe UE-së.

“Bëhet fjalë për atë se, Ballkani është njëri nga poligonet e para për këtë paradigmë të re në bashkëpunimin mes NATO-s dhe UE-së. Me këtë rast, ajo përsëriti qëndrimin e kryetarit Bush se ShBA-të, janë të gatshëm të ndihmojnë Ballkanin që në tërësi të bëhet pjesë e Evropës, i tërësishëm, i lirë dhe rajon i qetë” Kështu ngjashëm thotë edhe misioni Pauell.

Hapi tretë – Pasi bashkësia ndërkombëtare dhe shteti Grek u siguruan se UÇK-ja nuk ka pretendime territoriale dhe nuk synon ndarjen e Maqedonisë, ajo i ofroi Qeverisë së Maqedonisë propozimet e poshtë shënuara:

1. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Qeverisë maqedonase, të zhvillojë dialog politik me kryengritësit shqiptarë. Më tej në këtë njoftim thuhet se presidenti amerikan George W. Bush është i bindur se mund të ketë vetëm një zgjidhje politike të konfliktit.

2. Po në këtë periudhë kohore J. Solana palës maqedonase ia paraqiti tri opsione “ Në tetor duhet të finalizohen rezultatet e dialogut ndëretnik, sipas:

a. modelit rus, për rrënimin e kësaj pjese të Maqedonisë dhe refuzimin e të gjitha kërkesave të shqiptarëve.

b. të Kanadasë të viteve 70-ta, me mposhtjen e kryengritësve në Quebec (të cilët atje akuzoheshin për terroristë). Plotësimin e pjesës më të madhe të kërkesave të kryengritësve përveç pavarësisë.

c. Opsionin ballkanik, apo ai i dialogut me UÇK-në paralel me plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

3. Brukseli hedh poshtë idenë për shkëmbim të territoreve dhe të popullatës. Nuk ka ndryshim të kufijve paralajmëroi J. Solana

Bisedimet

Që nga fillimi i konfliktit të armatosur, Presidenti Maqedonisë B.Trajkovski ia kishte bërë me dije qeverisë së tij se kryengritësit shqiptarë kishin përvojë luftarake dhe se ishte vështirë të mundeshin, prandaj kishte sugjeruar të kishin parasysh propozimin e faktorit ndërkombëtar për koalicionin e gjerë qeveritar. Pas një kohe relativisht të gjatë maqedonasit ofruan propozimin e tyre duke paraqitur nëntë pika të dala nga Parimet e Badinterit.

Nëntë pikat e ofruara nga pala ndërkombëtare

Si përgjigje ndaj pikave të ofruara nga pala maqedonase bashkësia ndërkombëtare i ofron nëntë pikat të cilat dalin si propozim nga diplomacia perëndimore për palën maqedonase. Rekomandohet qeveria e Maqedonisë t’i pranojnë të gjitha nëntë pikat:

1. Përfaqësimi proporcional në institucionet shtetërore.

2. Rritja e kompetencave për pushtetin nëpër komuna lokale.

3. Përdorimi zyrtar i gjuhës nëpër njësitet administrative komunale lokale (v.j. viset ku shqiptarët jetojnë).

4. Autonomi kulturore (v.j. zhvillim i lirshëm i identitetit kulturor nëpër komuna dhe vendbanime të shqiptarëve).

5. E drejta për shkollim universitar, lejimi i universitetit të III-të shtetëror, në Tetovë, i cili do të financohet nga buxheti shtetëror.

6. Lejimi i kryerjes së shërbimit ushtarak për të rinjtë nëpër vendlindjet e tyre, i cili do të binte poshtë pas profesionalizimit të ushtrisë maqedonase.

7. Demokracia konsensuale (v.j. shqiptarët më nuk do të mbivotoheshin në parlament gjatë miratimit të ligjeve).

8. Shekullarizimi i shtetit (v.j. nuk do të favorizohej kisha ortodokse) dhe;

9. Koncepti qytetar i kushtetutës (v.j. maqedonasit janë të gatshëm të bisedojnë për mënyrën e ndryshimit në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë).

Marrëveshja e Ohrit

Pasi u afruan qëndrimet midis palëve ndërluftuese, në gusht të vitit 2001 erdhi momenti i marrëveshjes e cila u mbajt në qytetin e Ohrit. Kjo marrëveshje edhe pse nuk e kënaq palën shqiptare, për hir të qetësimit dhe uljes së tensionit duhej të nënshkruante marrëveshjen. Nëse i kthehen shqiptarët dhe shikojnë praktikën e së kaluarës së afërme, atëherë do të konstatojnë se kjo marrëveshje megjithatë i avancon për një shkallë më lartë se siç ishin, ose ashtu siç u shpreh Ali Ahmeti:“Unë gjithnjë e kam pasur parasysh ambientin e përgjithshëm në të cilin kanë vepruar partitë politike shqiptare. Ndërsa ne kemi marrë në konsideratë pozicionin e tyre, u kemi kërkuar atyre të mbështesin UÇK-në sepse pa një mbështetje të gjerë nga politikanët, intelektualët, punëtorët dhe populli në përgjithësi, UÇK-ja nuk mund të ketë sukses. Në këtë kontekst, takimi ynë në Prizren duhet parë si një ndër ngjarjet më produktive në politikën shqiptare. Në këtë takim nuk është folur për të rrezikuar shtetin apo popullin maqedonas, por për të ngushtuar diferencat dhe t’u ofrojmë atyre një zgjidhje paqësore të krizës. Si politikanë, ne tani kemi përmbushur edhe detyrimin tonë të shenjtë ndaj popullit shqiptar, sepse me veprimet tona ne jemi përpjekur të dërgojmë sinjale të mirëkuptimit ndëretnik. Për këtë arsye Marrëveshja e Ohrit është e vlefshme dhe e pranueshme për ne. Ne do të qëndrojmë të bashkuar derisa ajo të realizohet plotësisht”.

Palët nënshkruese

Diplomatët ndërkombëtar vendosën që palët nënshkruese të janë, presidenti i shtetit, dy përfaqësues prej palës maqedonase dhe dy prej palës shqiptare. Nga pala maqedonase ishte partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe ajo opozitarja LSDM, ndërsa prej palës shqiptare ishte partia në pushtet PDSH që kishte bërë koalicion me VMRO-në dhe PPD opozita shqiptare në Maqedoni.

Në këtë marrëveshje nuk ishte paraparë si palë nënshkruese udhëheqësi politik i UÇK-së Ali Ahmeti. Ky i fundit ishte në favor të marrëveshjes dhe nuk ishte këmbëngulës të prezantonte në tryezën e kësaj marrëveshjes. Marrëveshja do të zbatohej sipas itinerarit të paraparë në marrëveshje e cila do të përfundojë plotësisht pas pesë vjetësh.

Përfundim

Përshkrimi rreth kësaj teme ofron shumë pak nga sa mund të shkruhet për këtë periudhë kohore. Në fokus të kësaj përmbledhje ishte problemi i brendshëm etnik i Maqedonisë, ku ishin paraqitur shkurtimisht elementet e një konflikti midis palës qeverisëse të sllavomaqedonasve dhe entitetit shqiptar. Në esencë marrëveshja kornizë e Ohrit vetëm sa e ka ngrirë ose ndaluar një konflikt të përmasave më të gjera, sepse sllavomaqedonasit kanë probleme me fqinjët e tyre verior, lindor dhe jugor. Nëse sllavomaqedonasit nuk i përmbushin detyrimet e tyre pikë për pikë ndaj palës shqiptare të Maqedonisë, atëherë indikacionet lajmërojnë për një konflikt të gjerë rajonal. Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është i vështirë edhe sikur t’ishte vullneti i mirë i palës sllavomaqedonase e lere më kur ky vend ballafaqohet me shumë probleme, si ato politike ashtu edhe ekonomike. Raporti i Krizës së Ballkanit thotë: “Autoritetet e Shkupit veprojnë në zbatimin e marrëveshjes së paqes deri në vitin 2004”, por kjo marrëveshje akoma nuk është plotësuar deri në ditët tona. Elita shqiptare në fillim ishte optimiste, ndërsa ajo sllavomaqedonase ishte më racionale kur Sasho Çolakovski thoshte: “Marrëveshja e Ohrit është shtylla kurrizore e cila mban të bashkuar qeverinë…” Kështu mendon edhe analisti Koço Dane: “Ka një kamuflim diabolik të qeverisë së Nikolla Gruevskit. Ai flet për një program ekonomik ambicioz i cili ka filluar të evidentohet edhe nga PDSH-ja. Por problemi themelor i Maqedonisë nuk është programi ekonomik, por ai etnik. Spastrimi që po i bën Gruevski aspektit etnik dhe përkrahja që po merr në këtë diabolizëm politik nga shqiptarët është paralajmërimi i destabilizimit dhe ndarjes së Maqedonisë”.

Maqedonasit sot janë duke u ballafaquar seriozisht me problemin rreth njohjes së emrit, gjuhës dhe autoqefalisë së fesë së tyre, gjë që rezulton se ata kanë problem rreth njohjes ndërkombëtare të identitetit të tyre. Akoma më të vështirë e bën përmirësimin e krizës së saj politike, mos profilizimi i saktë i politikave globale. Qeveria aktuale ndodhet midis nacionalizmit maqedonas dezintegrues i cili anashkalon elementin shqiptarë në këtë republikë dhe midis zhvillimeve integruese evropiane.

Në anën tjetër, problemi i sllavomaqedonasve me shqiptarët e këtij territori mbetet i hapur edhe pse në vitin 2001 ata firmosën një marrëveshje si rezultat i konfliktit të armatosur. Si duket problemet e pa mbaruara me fqinjët e tyre, reflektojnë negativisht në përmbushjen e detyrimeve të dala nga marrëveshja kornizë e Ohrit. Koha do të dëshmojë se mos përmbushja e detyrimeve sipas marrëveshjes së Ohrit do të rezultojë negativisht për këtë republikë.

Prishtinë 19.03.2008