Ardian Muhaj
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nëntë vite pas çlirimit ishte një hap i domosdoshëm drejt konstituimit të Republikës së Kosovës si shtet i njohur me të drejta të plota sipas së drejtës ndërkombtare.
Historia e Kosovës nga viti 1999 deri në shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008 është një periudhë parapërgatitore, rrjedhimisht, e rëndësishme dhe vendimtare për vetë Pavarësinë e Kosovës. Përfundimi i Luftës solli me vete Krijimin e UNMIK-ut (Misioni i Administrimit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë). UNMIK u angazhua menjëherë për të siguruar paqen dhe ndihmuar në rindërtimin e institucioneve dhe infrastrukturës së Kosovës. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, kur Kosova ishte nën administrimin e UNMIK-ut, ishte ky Mision që drejtonte pjesërisht institucionet e Kosovës. Në vitin 2005, filluan bisedimet për të vendosur statusin përfundimtar të Kosovës. Përpjekjet për të arritur një marrëveshje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa sukses dhe në vitin 2007, përfaqësuesit e Kosovës filluan dialogun drejtuar nga OKB-ja për të gjetur zgjidhje për statusin e Kosovës.
Kjo periudhë tranzitore ndërmjet çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë duhet të kishte qenë e mjaftueshme për të arritur një konsensus të gjerë ndërkombtar për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtar i OKB-së. Megjithatë, kjo nuk ndodhi.
Zhvillimet e pas shpalljes së Pavarësisë dëshmuan se dekada ndërmjet çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë nuk ishte shfrytëzuar sa duhet. Aq më shumë kjo mungesë e kryerjes së “detyrave të shtëpisë” bie në sy, po të kihet paraysh se Kosova edhe përpara shpalljes së pavarësisë kishte një strukturë shtetërore me kapacitet të plotë për lobim dhe përgatitje për mbështetje. Rezultatet e kësaj përpjekjeje të pamjaftueshme u vunë re që në vitin 2008 kur u shpall pavarësia. Në këtë vit 51 shtete deklaruan njohjen e pavarësisë prej tyre. Vetëm 51!
Edhe sot, 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova vazhdon të mos njihet si shtet i pavarur nga pothuajse gjysma e shteteve në botë, duke përfshirë edhe disa shtete ballkanike e disa shtete anëtare të BE-së. Dinamika e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës ka nxjerrë në pah sfidat e shumëfishta që duhen tejkaluar përgjatë këtij procesi.
Konkretisht, në qershor 2023, 101 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së (52.3%), 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së (81.5%), 26 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s (86.7%), dhe 33 nga 57 shtetet anëtare të OIC-së (57.9%) e kanë njohur Kosovën. Ndër vendet e G20, njëmbëdhjetë (përfshirë të shtatë vendet e G7) kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur: Australia, Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Tetë (përfshirë të gjitha pesë vendet BRICS), megjithatë, nuk kanë bërë njohjen: Argentina, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia dhe Afrika e Jugut. Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbetet po ashtu i ndarë në këtë çështje. Nga pesë anëtarët e tij me fuqi veto, tre (Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) kanë njohur shpalljen e pavarësisë, Kina ka kërkuar vazhdimin e kuadrit të negociatave të mëparshme, kurse Rusia ka refuzuar shpalljen dhe e konsideron të paligjshme.
Analizimi i dinamikës, ashtu sikurse drejtpeshimi i sfidave janë thelbësorë në përballjen me pengesat dhe vështirësitë e këtij procesi. Nuk ka pse habitemi aspak nëse vërejmë se kur Kosova po shënon 24 vjetorin e çlirimit nga okupimi shekullor serb, sërish po vihet në pikëpyetje sovraniteti i saj i plotë. Duhet ta kemi të qartë se tolerimi i këndvështrimit kolonialist dhe i qëndrimit mohues të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ka asnjë arsye dhe motiv tjetër përveçse rikthimin e Serbisë në një mënyrë apo në një tjetër, apo edhe me të gjitha mënyrat në Kosovë.
Serbia ka synuar gjatë gjithë kësaj kohe që t’i lodhë edhe vetë aleatët tanë perëndimorë dhe njëkohësisht kundërshtarët e saj që në pranverën e vitit 1999 ndërmorën sulmet ajore dhe izolimin diplomatik të Serbisë, me qëllim që në vitin 2023, të pranojnë dhe të negociojnë një rikthim të pjeshëm të Serbisë në Kosovë.
Pyetja që duhet shtruar është se si mbërritëm deri këtu, deri në këtë pikë kthese për keq?
Përpara se ta shohim këtë periduhë të pavarësisë me sy kritik për të nxjerrë shkaqet duhet ta shohim nga aspekti faktik dhe thjesht përshkrues. Mund të thuhet se në 15 vite pavarësi tashmë historia ka prodhuar përmbajtje e dinamikë të mjaftueshme për një periodizim fillestar dhe identifikim dy periudhash.
Periudha e afirmimit të pavarësisë: 2008-2013
Periudha e 5 viteve të para, mund të konsiderohet si periudha e konfirmimit dhe forcimit gradual të pavarësisë. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u përball me sfida të mëdha në drejtim të konsolidimit të shtetit të ri. Kosova mori përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe filluan përpjekjet për të forcuar institucionet dhe sistemin juridik dhe ekonomik. Gjithashtu, u bë e mundur krijimi i një shteti funksional dhe përkrahja për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Në këtë periudhë dinamika e njohjeve shënon një rritje të vazhdueshme dhe të pandalshme. Dy momente kyçe mund të identifikohen në këtë fazë.
Së pari, vetë akti i shpalljes së pavarësisë krijoi mundësinë për vendet miqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të rikonfirmojnë këtë miqësi përmes njohjes së pavarësisë. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve ishin vende historikisht miqësore ndaj shqiptarëve dhe njohja e pavarësisë ishte vendim i natyrshëm si rrjedhojë e kësaj miqësie. Në fakt, ky grup shtetesh miqësore jo vetëm nuk kishin nevojë për lobim për njohjen e Kosovës, por ishin dhe vazhdojnë të jenë ata vetë lobues të mbështetjes dhe pavarësisë së Kosovës.
Së dyti, vendimi i Gjykatës Ndërkombtare të Drejtësisë që e konfirmoi drejtësinë e shpalljes së pavarësisë ndikoi në lehtësimin e marrjes së vendimit për njohje nga vendet miqësore të cilat për arsye të ndryshme e kishin vonuar këtë. Jo vetëm vendimi, por edhe mënyra se si u nis procesi ishte një fitore madhështore për Kosovën.
Në mars 2008, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremić deklaroi se Serbia do të kërkonte nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të rishikonte ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranoi rezolutën e Serbisë që kërkonte nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësonte ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjykata dha mendimin e saj më 22 korrik 2010. Ajo deklaroi se “shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkel ligjin ndërkombëtar të përgjithshëm sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ‘ndalim të shpalljeve të pavarësisë’, ashtu siç shpallja e pavarësisë nuk shkel rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi kjo nuk përshkruante statusin final të Kosovës dhe Këshilli i Sigurimit nuk kishte rezervuar për vete vendimin për statusin final.”
Ky vendim historik ndikoi në krijimin e një mundësie, e cila për hir të së vërtetës duket se nuk u shfrytëzua siç duhet nga institucionet e Kosovës për lobimin për njohje. Atë që Serbia nuk mundi ta arrinte përmes Gjykatës, duket se nisi ta arrinte përmes “dialogut të drejpërdrejtë me ndërmjetësim”
Periudha e gërryerjes së pavarësisë: 2013-2023
Periudha e dytë, karakterizon dekadën e fundit duke nisur prej vitit 2013, kur ky i ashtuquajtur dialog për normalizimin e marrdhënieve Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Brukseli, në fakt ka sjellë në një situatë vendqëndrimi dhe në njëfarë mase edhe gërryerje të kësaj pavarësie. Në vitin 2013, dy palët filluan të “normalizonin” marrëdhëniet e tyre në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Ky dialog u fokusua në çështje të rëndësishme si integrimi i komunitetit serb, çështjet e pronësisë dhe ndarjen e pushtetit lokal.
Kosova vijoi angazhimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme me theks zbatimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, Kosova shfrytëzoi mundësitë për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me shtete të tjera. Në këtë periudhë, Kosova bëri progres në drejtim të integrimit euroatlantik duke nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian (2016).
Një çështje e rëndësishme që u trajtua në këtë periudhë ishte ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës, process ky i kontestuar gjerësisht dhe që shkaktoi shqetësime dhe protesta në vend. Pas zgjedhjeve të shkurtit 2021, u formua koalicioni i ri qeveritar aktual. Progresi ekonomik duket se ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë kohës, me ritme jo të larta por të vazhdueshme. Kosova ka përjetuar rritje ekonomike, megjithëse vazhduan të ekzistonin sfida të ndryshme.
Janë dy aspekte që e shënojnë këtë dekadë të fundit dhe që e dallojnë nga periudha e pesëvjecarit të parë të Pavarësisë. Së pari, Asosiacioni i Komunave me shumicë Serbe i pranuar në parim në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, duke u lejuar kështu në parim të dyja shteteve të bashkohen në Unionin Evropian në një të ardhme të pacaktuar.
Megjithatë, procesi i ashtuquajtur i normalizimit mori kthesë të papritur në nëntorin e vitit 2018, kur Kosova vendosi një taksë prej 100 për qind në importin e mallrave serbe. Askush nuk e di ose më saktë asnjëherë nuk u tha se nga kush u përcaktua se taksa duhej aq, dhe pse jo më shumë apo më pak, apo shumë më shumë. Pavarësisht kësaj, taksa 100 për qind u shfrytëzua më së miri nga Serbia për të shpalosur iniciativën e Balkanit të Hapur, (Novi Sad, tetor 2019) që në fakt rezultoi një mjet mjaft efikas në duart e Serbisë për rehabilitim ndërkombtar dhe për të krijuar një dikotomi të qartë Kosova “e mbyllur”, kurse Serbia “e hapur”. Taksa si duket ishte arsyeja e nënkuptuar e rënies së qeverisë Haradinaj. Më 1 prill 2020, Kosova tërhoqi taksën për të zgjedhur dy vite më vonë një mënyrë tjetër për pohim sovraniteti, që edhe kjo u shfrytëzua po aq me efikasitet nga Serbia për ta paraqitur veten dhe serbët e Kosovës si viktima.
Kriza e krijuar me shkas targat e makinave të serbëve në veri të Kosovës ia solli Serbisë rastin në derë që të nisë krijimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, përmes bojkotit të institucioneve, që më pas u pasua nga pranimi i statusit të vetëadministrimit apo asosiacionit të komunave me shumicë serbe. Sikurse në rastin e taksës së vendosur nga qeveria Haradinaj, edhe në rastin e targave të zgjedhur si kalë sovraniteti nga qeveria Kurti, askush nuk e di ose më saktë asnjëherë nuk u tha se nga kush u përcaktua se pse duhej nisur ripohimi i sovranitetit në veri përmes targave të makinave dhe jo të ndonjë targe apo etikete të mallrave të tjera. Ashtu sikurse taksa 100 për qind u shfrytëzua më së miri nga Serbia, edhe targat u shfrytëzuan akoma edhe më shumë nga Serbia për të nisur procesin e viktimizimit të serbëve në Kosovë, të rehabilitimit të Serbisë si mbrojtëse e një komuniteti pakicë të “kërcënuar”, dhe në fund të fundit sikurse edhe rezultoi për të nisur procesin e shkëputjes së veriut të Kosovës nga sistemi politik i Kosovës, përmes bojkotimit të institucioneve vendore dhe të zgjedhjeve vendore. Edhe nëse serbët në veri të Kosovës pranojnë të dalin në zgjedhjet e reja lokale, tashmë ia kanë dalë që veriu i Kosovës të mos ketë zgjedhje në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të Kosovës. Një fitore jo e vogël për serbët, megjithëse po shihet se kjo u duket pak në krahasim me atë që synojnë dhe kanë arritur tashmë. Çështja e taksave të qeverisë Haradinaj dhe ajo e targave të qeverisë Kurti ngjasojnë si dy pika uji për mënyrën se si u paraqitën befas në skenë dhe për pasojat që sollën në dobësimin e Kosovës dhe forcimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë. Historia do na thotë më shumë, më qartë, më vonë.
Së dyti, duke nisur prej vitit 2013, dialogu dhe marrëveshja e Brukselit u pasuan nga një ndalje e befasishme e procesit të njohjeve kur në fakt pritjet ishin dhe duhej të ishin të kundërta. Brenda vetë kësaj periudhe, pesëvjeçari i fundit, 2018-2023 është i veçantë sepse përveç njohjes nga Izraeli në 2020, nuk ka asnjë njohje të re në plot pesë vite.
Ecuria e njohjeve do të ishte arsye e mjaftueshme për debat të gjerë publik dhe për marrje përgjegjësish politike, gjë që nuk ka ndodhur. Nga 51 njohje në 2008, pati 10 të tilla në 2009, 8 në 2010, 11 njohje në 2011, 7 njohje në 2012, 6 njohje në 2013. Nga ky vit, ose nga viti i fillimit të “normalizimit” të marrdhënieve, nis edhe periudha e gërryerjes së procesit të pavarësisë duke nisur me vetëm 2 njohje në 2014, me vetëm njohje 1 në 2015, pastaj me 2 në 2016, 1 në 2017 dhe 1 në 2018. Nga viti 2019 mund të thuhet se nis periudha e mosnjohjes pasi përgjatë krejt këtij viti pati 0 njohje. Një njohje sikurse u theksua nga Izralei në 2020 nuk mjafton për ta ndryshuar tendencën. Ritmi i zeronjohjeve vazhdon pa u ndalur në 2021, konfimohet edhe në 2022 dhe me sa duket edhe ky vit 2023 do mbyllet sikur deri tani në trendin e zeronjohjeve. Më e keqja është se nuk ka asnjë ndjesi përgjegjësie as llogaridhënie nga qeveritë e Kosovës të periudhës së zeronjohjeve për të qartësuar se pse po ndodh kjo. Natyrisht, justifikimi se Beogradi po i pengon njohjet e reja, nuk pi ujë, edhe pse qëndron në çdo tryezë kafehaneje. E vetmja gjë që është normalizuar që prej nisjes së procesit të “normalizimit” të marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shtete të reja. Bashkë me këtë për fat të keq, shumë të keq, duket se është normalizuar edhe moskokëçarja për dështimin dhe ndalimin e procesit të njohjeve. Në debatin publik dhe politik tashmë askush nuk kërkon dhe nuk jep llogari për këtë. E pabesueshme!