Ardian Muhaj

Të gjendur të ndarë në shtete të ndryshme, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, dhe në diasporë, shqiptarët përballen me realitete politike dhe socio-ekonomike të ndryshme. Interesante është se në aspektin kuptimor është legjitimuar metafora e disa Shqipërive, në kuptimin që secila prej pjesëve të ndara të hapësirës kombtare shqiptare është një Shqipëri ose metaforikisht edhe përkundër ndarjes: Shqipëria është një.

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se identiteti kombëtar shqiptar ndikohet në mënyra të ndryshme nga kontekstet politike, ekonomike, dhe sociale të shteteve ku jetojnë shqiptarët. Gjendja e ndryshme në të cilën ndodhen copëzat e ndara të njësisë shqiptare, detyron përgjigje dhe shqetësime po ashtu të ndryshme në përputhje me gjendjen e secilës pjesë të njësisë. Ky këndvështrim na jep të drejtë të mendojmë se përgjigjet dhe shqetësimet e ndryshme të pjesëve të ndara nuk mund të na japin të drejtën të pretendojmë se janë pjesë të ndryshme ose njësi të ndryshme kombtare në lojë. Përkundrazi! Është më e lehtë të mbrohet ideja se është i njëjti organizëm që i përgjigjet situatave dhe shqetësimeve të ndryshme, se sa të imagjinojmë më kot se gjendjet e përkohshme të ndryshme mund të krijojnë identitete të ndryshme.

Njësia kombtare shqiptare ka kaluar në gjendje shumë më të ndryshme dhe ndasi shumë më të mëdha se sa ato që kalon sot, por kjo nuk e ka ndikuar vetëpërceptimin e përkatësisë së njëjtë etnike e kombtare. Për shembull, shqetësimët e ndryshme të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë e nëpër diasporat e shumta shqiptare në botë është absurde të mendohet se janë gjeneratorë identitetesh të ndryshme. Procesi i ndërtimit të shtetit dhe afirmimi i identitetit kombëtar në Kosovë dhe sfidat e tranzicionit ekonomik dhe demokratik në Shqipëri, nuk janë dhe nuk munden me qenë krijues identitesh të veçanta, sepse edhe sikur të mos ekzistonte ndarja politike e sotme, do të ekzistonin ashtu sikurse kanë ekzistuar ndarje të tjera, qofshin gjeografike, klimatike, dialektore, ekonomike, etj, të cilat e kanë dëshmuar me shekuj, historikisht shterpësinë dhe pamundësinë e tyre për të copëzuar njësinë identitare shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se larmia gjeografike, kulturore, apo historike e shqiptarëve në këto shtete nuk krijon një sfidë në përpjekjet për të ndërtuar një identitet kombëtar të përbashkët. Në fund të fundit, janë pikërisht të tilla sfida shekullore që krijojnë përkatësitë kombtare. Pra, ndërkohë që dallimet rajonale e pasurojnë mozaikun e identitetit shqiptar, ato gjithashtu kërkojnë një punë të vazhdueshme për të ruajtur dhe nxitur ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit gjithëshqiptar. Kjo përfshin përpjekjen për të ruajtur gjuhën shqipe, traditat kulturore, dhe historinë e përbashkët si elementë qendrorë të identitetit kombëtar.

Një nga elementët më përbashkues, përkundër rëndësisë së pakët që i kushtojmë në shqiptaritetin tonë është ose më saktë janë diasporat shqiptare. Diaspora shqiptare sot ashtu sikurse historikisht luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e identitetit kombëtar. Shqiptarët e emigruar larg atdheut e këndvështrojnë Shqipërinë me filtra shumë më gjithëshqiptarë se sa një pjesë e mirë e shqiptarëve që jetojnë kryesisht brenda hapësirës gjeografike shqiptare. Emigracioni masiv gjatë dekadave të fundit ka krijuar komunitete të mëdha shqiptare jashtë kufijve të Ballkanit, veçanërisht në Evropë, Amerikë, dhe më gjerë. Këto komunitete jo vetëm që mbajnë gjallë elementë të kulturës dhe traditës shqiptare, por gjithashtu kontribuojnë në formimin e një identiteti kombëtar që përfshin përvoja dhe specifika të reja. Përpjekjet për të ruajtur lidhjet me atdheun, si dhe për të promovuar një imazh pozitiv të shqiptarëve në botë, janë thelbësore për zhvillimin e kësaj ndjenje identitare gjithëshqiptare. Shqiptarët e kanë dëshmuar se janë në gjendje për të forcuar dhe ruajtur lidhjet e tyre të përbashkëta historike dhe kulturore, ndërkohë që njohin dhe respektojnë larminë dhe veçoritë lokale. Padyshim që pavarësisht nga këto dallime të natyrshme dhe joqendrore, mbisundon ndjenja e përbashkët e identitetit dhe lidhjeve historike dhe kulturore që shërben si bazë për një ideal kombëtar të unifikuar.